4
1 Moisiu u përgjigj dhe tha: “Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t’i binden zërit tim, sepse do të thonë: “Zoti nuk të është shfaqur””. 2 Atëherë Zoti i tha: “Ç’është ajo që ke në dorë?”. Ai u përgjegj: “Një bastun”. 3 Zoti tha: “Hidhe për tokë”. Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap. 4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Zgjate dorën dhe kape nga bishti”. (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun). 5 “Këtë ke për të bërë”, tha Zoti, “me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur”. 6 Zoti i tha akoma: “Tani vër dorën në gjirin tënd”. Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora. 7 Zoti i tha akoma: “Vëre përsëri dorën në gjirin tënd”. Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij. 8 “Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë. 9 Por, në rast se ata nuk do t’u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t’i binden zërit tënd, ti atëhere merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë”. 10 Atëherë Moisiu i tha Zotit: “Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend”. 11 Zoti i tha: “Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti? 12 Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash”. 13 Por Moisiu tha: “Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!”. 14 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: “A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, Leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndjejë gëzim në zemër të vet. 15 Ti do t’i flasësh dhe do t’i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t’ju mësoj atë që duhet të bëni. 16 Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia. 17 Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë”. 18 Atëherë Moisiu iku, u kthye te Jethro, vjehrri i tij, dhe i tha: “Oh, lërmë të shkoj dhe të kthehem te vëllezërit e mi që janë në Egjipt, për të parë në se ende janë gjallë”. Dhe Jethro i tha Moisiut: “Shko në paqe”. 19 Zoti i tha Moisiut në Madian: “Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur”. 20 Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë. 21 Zoti i tha pastaj Moisiut: “Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë. 22 Dhe ti do t’i thuash Faraonit: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im”. 23 Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd”. 24 Por gjatë udhëtimit, në vendin ku kishin fushuar, Zoti shkoi të takojë Moisiun dhe u përpoq ta bënte të vdiste. 25 Atëherë Sefora mori një strall të mprehtë dhe preu prepucin e birit të saj dhe e hodhi në këmbët e Moisiut, duke thënë: “Ti për mua je një dhëndër në gjak!”. 26 Kështu Zoti e la. Atëherë ajo tha: “Ti je një dhëndër gjakatar”, për shkak të rrethprerjes. 27 Zoti i tha Aaronit: “Shko në shkretëtirë të takosh Moisiun”. Dhe ai shkoi, e takoi atë në malin e Perëndisë dhe e puthi. 28 Dhe Moisiu i tregoi Aaronit tërë fjalët që Zoti e kishte porositur të thoshte, dhe tërë shenjat e mahnitshme që i kishte urdhëruar të bënte. 29 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan dhe mblodhën tërë pleqtë e bijve të Izraelit. 30 Dhe Aaroni tregoi tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe bëri mrekullitë në sy të popullit. 31 Kështu populli i besoi. Ata kuptuan që Zoti kishte vizituar bijtë e Izraelit dhe kishte parë dëshpërimin e tyre; dhe u përkulën dhe e adhuruan.