22
“Në rast se ndokush vjedh një ka a një dele dhe i vret ose i shet, do të kthejë pesë qe për kaun dhe katër dele për delen. Në rast se vjedhësi, i kapur kur po bën një thyerje, rrihet dhe vdes, pronari nuk është fajtor për vrasjen e tij. Në rast se dielli ishte ngritur kur ndodhi ngjarja, ai është fajtor për vrasje. Hajduti duhet ta lajë dëmin; dhe po të jetë se nuk ka me se ta lajë, shitet për vjedhjen e kryer prej tij. Në rast se gjëja e vjedhur, qoftë ka ose gomar ose dele, gjendet e gjallë në duart e tij, do të kthejë dyfishin e saj. Në rast se ndokush dëmton një arë ose një vresht, duke i lëshuar kafshët e tij të kullosin në arën e një tjetri, do ta lajë dëmin e bërë me atë që ka më të mirë në arën dhe në vreshtin e tij. Në rast se një zjarr përhapet dhe shtrihet deri te ferrat kështu që digjet gruri në duaj ose gruri në këmbë ose ara, ai që ka ndezur zjarrin do ta lajë dëmin. Në rast se dikush i jep fqinjit të vet para ose sende për ruajtje, dhe këto vidhen nga shtëpia e këtij, në rast se gjendet vjedhësi, ai do të kthejë dyfishin. Në rast se nuk gjendet vjedhësi, i zoti i shtëpisë do të dërgohet para Perëndisë për t’u betuar se nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e fqinjit të tij. Për çfarëdo lloj krimi, fjala vjen qoftë edhe për një ka, një gomar, një dele, një veshje apo çfarëdo sendi të humbur që një tjetër thotë se është i tij, çështja e të dy palëve do të shtrohet para Perëndisë; ai që Perëndia do të dënojë, do t’i kthejë dyfishin fqinjit të tij. 10 Në qoftë se ndokush i jep për ruajtje fqinjit të tij një gomar, një ka, një dele apo çfarëdo lloj tjetër kafshe, dhe kjo ngordh ose plagoset ose dhe merret pa e parë njeri, 11 të dy palët do të betohen para Zotit për të mësuar në se marrësi në dorëzim nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e fqinjit të tij. I zoti i gjësë do të pranojë betimin, dhe tjetri nuk do të jetë i detyruar të lajë dëmet. 12 Por në qoftë se gjëja i është vjedhur, ai duhet ta lajë dëmin që ka pësuar i zoti. 13 Në qoftë se kafsha është shqyer, do ta çojë si provë, dhe nuk do të jetë i detyruar të dëmshpërblejë kafshën e shqyer. 14 Në qoftë se dikush merr hua nga fqinji i tij një kafshë, dhe kjo plagoset apo ngordh kur i zoti nuk është i pranishëm, ai duhet të dëmshpërblejë dëmin. 15 Në qoftë se i zoti është i pranishëm, nuk do të dëmshpërblejë dëmin; në qoftë se kafsha është marrë me qira, ajo përfshihet në çmimin e qirasë. 16 Në qoftë se dikush mashtron një vajzë ende të pafejuar dhe bie në shtrat me të, duhet të paguajë për pajën e saj dhe ta marrë për grua. 17 Në qoftë se ati refuzon prerazi t’ia japë, ai do të paguajë shumën e kërkuar për pajën e vajzave të virgjëra. 18 Nuk do ta lësh të jetojë shtrigën. 19 Kush çiftëzohet me një kafshë do të dënohet me vdekje. 20 Kush i bën flijime një perëndie tjetër, veç Zotit, do të shfaroset. 21 Mos keqtrajto të huajin dhe mos e mundo, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. 22 Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, as asnjë jetim. 23 Në rast se i mundon ata në një farë mënyre dhe ata bërtasin në drejtimin tim, unë do ta dëgjoj pa tjetër britmën e tyre; 24 do të zemërohem dhe do t’ju vras me shpatë; gratë tuaja do të mbeten të veja dhe bijtë tuaj jetimë. 25 Në rast se ti i jep para hua dikujt nga populli yt, të varfrin që është me ty, nuk do ta trajtosh si fajdexhi; nuk do t’i imponosh asnjë kamatë. 26 Në qoftë se merr peng rrobën e fqinjit tënd, do t’ia kthesh para se të perëndojë dielli, 27 sepse ajo është e vetmja mbulesë e tij dhe veshja me të cilën mbështjell trupin. Me se tjetër mund të flinte ai? Dhe po të ndodhë që ai të më drejtohet mua, unë do ta dëgjoj, sepse jam mëshirëplotë. 28 Mos blasfemo Perëndinë dhe mos mallko princin e popullit tënd. 29 Mos ngurro të më japësh detyrimin nga korrja jote dhe nga ajo që rrjedh nga mokrrat e tua. Do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu. 30 Do të veprosh njëlloj me lopën dhe me delen tënde: pjella e tyre e parë do të rrijë shtatë ditë pranë nënës; ditën e tetë do të ma japësh mua. 31 Ju do të jeni për mua njerëz të shenjtë; nuk do të hani mish të asnjë kafshe të shqyer në fusha; hidhuani atë qenve”.