38
Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë: “Bir njeriu, kthe fytyrën tënde drejt Gogut të vendit të Magogut, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit, dhe profetizo kundër tij, dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Gog, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit. Unë do të të kthej prapa, do të vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë tënde, me kuaj dhe kalorës, të gjithë të veshur shkëlqyeshëm, një turmë e madhe me mburoja të mëdha dhe të vogla, me shpatë në dorë, dhe me ta Persia, Etiopia dhe Puti, të gjithë me mburoja dhe përkrenare. Gomeri dhe tërë ushtarët e tij, shtëpia e Togarmahut, pjesët skajore të veriut dhe të gjithë ushtarët e tij, shumë popuj janë me ty. Përgatitu dhe ji gati, ti dhe gjithë turmat e tua të mbledhura rreth teje, dhe ji roje për ta. Mbas shumë ditësh ti do të ndëshkohesh. Në vitet e fundit do të sulesh kundër vendit që nuk iu shmang shpatës, banorët e të cilit janë mbledhur nga shumë popuj, në malet e Izraelit, që kanë qenë për shumë kohë një shkreti; tani ata, të nxjerrë nga popujt, do të banojnë të gjithë të sigurt. Ti do të ngjitesh, do të vish si një tufan, do të jesh si një re që mbulon vendin, ti me gjithë trupat e tua dhe shumë popuj bashkë me ty”. 10 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Atë ditë do të ndodhë që do të të vijnë në mendje projekte dhe do të hartosh një plan të keq. 11 Do të thuash: “Unë do të dal kundër këtij vendi fshatrash pa mure, do të nisem kundër njerëzve të qetë që banojnë të sigurt, që qëndrojnë të gjithë në vende pa mure dhe nuk kanë as shula as porta”, 12 për të plaçkitur dhe për të bërë pre, për të shtrirë dorën tënde kundër vendeve të shkretuara, por tani të ripopulluara dhe kundër një populli të mbledhur midis kombeve, që i ka siguruar vetes kafshë, pasuri dhe banesë në lartësitë e vendit. 13 Sheba, Dedani, tregtarët e Tershishit dhe tërë luanët e vegjël do të pyesin: “Ke ardhur për të plaçkitur? Ke mbledhur turmën tënde për të bërë plaçkë, për të marrë argjendin dhe arin, për të marrë kafshët dhe pasuritë, për të bërë një plaçkë të madhe?”. 14 Prandaj, bir njeriu, profetizo dhe i thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti, Zoti: Atë ditë, kur populli im i Izraelit do të jetë i sigurtë, a nuk do ta dish ti? 15 Do të vish nga banesa jote, nga skajet e veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë të hipur mbi kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e fuqishme. 16 Do të dalësh kundër popullit tim të Izraelit, si një re që mbulon vendin. Kjo ka për të ndodhur ditët e fundit: do të të çoj kundër vendit tim me qëllim që kombet të më njohin, kur të shenjtërohem te ti përpara syve të tyre, o Gog”. 17 Kështu thotë Zoti, Zoti: “A nuk je ti ai për të cilin fola në kohët e lashta me anë të shërbëtorëve të mi, profetët e Izraelit, të cilët për vite me radhë profetizuan ato ditë që do të të kisha sjellë kundër tyre? 18 Por do të ndodhë që po atë ditë, ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit”, thotë Zoti, Zoti, “që tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës. 19 Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë deklaroj se atë ditë do të ketë një tronditje të madhe në vendin e Izraelit: 20 përpara meje do të dridhen peshqit e detit, shpendët e qiellit, kafshët e fushës, të gjithë rreshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut; malet do të shemben, vendet e rrëpirta do të rrëzohen dhe të gjitha muret do të bien për tokë. 21 Unë do të thërras kundër tij shpatën mbi të gjitha malet e mia”, thotë Zoti, Zoti; shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet. 22 Do të ekzekutoj vendimin tim mbi të me murtajë dhe me gjak do të bëj të reshë mbi të, mbi ushtrinë e tij dhe mbi shumë popuj që janë bashkë me të, një shi që zhurin, gurë prej akulli, zjarr dhe squfur. 23 Kështu do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe do të pranojnë se unë jam Zoti”.