41
1 Pastaj më çoi në shenjtërore dhe mati shtyllat; gjashtë kubitë gjërësi nga një anë dhe gjashtë kubitë gjerësi nga ana tjetër, ashtu siç ishte gjerësia e tabernakullit. 2 Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kubitë dhe muret anësore të hyrjes pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër. Mati gjatësinë e shenjtërores: dyzet kubitë, dhe gjerësinë e tij njëzet kubitë. 3 Pastaj hyri brenda dhe mati mbajtëset e portës: dy kubitë; porta ishte gjashtë kubitë dhe gjerësia e saj shtatë kubitë. 4 Mati gjatësinë e saj: njëzet kubitë, dhe gjerësinë e saj përpara shenjtërores, njëzet kubitë; pastaj më tha: “Ky është vend shumë i shenjtë”. 5 Pastaj mati murin e tempullit: gjashtë kubitë; ndërsa gjerësia e çdo dhome anësore rreth e rrotull tempullit ishte katër kubitë. 6 Dhomat anësore ishin me tre kate, njëra mbi tjetrën, tridhjetë dhoma për kat; ato mbështeteshin mbi disa dalje të murit të tempullit, të bëra rreth e qark për dhomat anësore; kështu ishin ngjitur por nuk mbështeteshin mbi murin e tempullit. 7 Madhësia e dhomave anësore rritej dora dorës që kalohej nga një kat në tjetrin, sepse daljet e strukturës së murit të tempullit vinin si shkallare rreth e qark tempullit; prandaj madhësia e strukturës së tempullit rritej dora dorës që ngjiteshe nga kati i poshtëm në të lartin dhe duke kaluar nëpër atë të mesit. 8 Pashë gjithashtu rreth tempullit një lartësim; themelet e dhomave anësore ishin sa një kallam i tërë prej gjashtë kubitësh. 9 Gjerësia e murit të jashtëm të dhomave anësore ishte pesë kubitë; hapësira e lënë e lirë ndërmjet dhomave anësore që i përkisnin tempullit 10 dhe dhomat e jashtme ishte njëzet kubitë rreth e qark tempullit. 11 Portat e dhomave anësore shikonin nga hapësira e lirë: një portë nga veriu dhe tjetra nga jugu; gjerësia e hapësirës së lirë ishte pesë kubitë rreth e qark. 12 Ndërtimi që ndodhej përballë hapësirës boshe nga ana e perëndimit kishte një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh; muri i ndërtimit ishte i trashë pesë kubitë rreth e qark dhe i gjatë nëntëdhjetë kubitë. 13 Pastaj mati tempullin, që kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh. Hapësira boshe, konstruksioni dhe muret e tij kishin gjithashtu njëqind kubitë gjatësi. 14 Gjerësia e fasadës së tempullit dhe hapësira boshe nga ana lindore ishin njëqind kubitë. 15 Mati gjatësinë e ndërtimit përpara hapësirës boshe të konstruksionit, në pjesën e pasme të tij, me gjithë galeritë nga një anë dhe nga ana tjetër: njëqind kubitë. Kështu mati pjesën e brendëshme të shenjtërores dhe atriumet e oborrit. 16 Pragjet, dritaret me kanata dhe galeritë rreth e rrotull tri kateve përballë pragjeve ishin mbuluar me dru rreth e qark, nga dyshemeja deri te dritaret (dritaret ishin të mbuluara), 17 deri mbi portën, në pjesën e brendëshme dhe të jashtme të tij të tempullit përqark, brenda dhe jashtë, me përmasa të përpikta. 18 Ishin riprodhuar kerubinë dhe palma, një palmë midis kerubinit dhe kerubinit; çdo kerubin kishte dy fytyra: 19 fytyra e njeriut ishte e kthyer drejt një palme nga një anë, dhe fytyra e luanit ishte e kthyer drejt palmës tjetër nga ana tjetër. Ishin riprodhuar rreth a qark tempullit. 20 Nga dyshemeja deri përmbi portën dhe mbi murin e shenjtërores ishin riprodhuar kerubinë dhe palma. 21 Shtalkët e shenjtërores ishin katrorë, po kështu fasada e vendit të shenjtë; pamja e njerës ishte si pamja e tjetrës. 22 Altari ishte prej druri, i lartë tre kubitë dhe i gjatë dy kubitë; qoshet e tij, gjatësia dhe faqet e tij ishin prej druri. Burri më tha: “Kjo është tryeza që rri para Zotit”. 23 Shenjtërorja dhe vendi i shenjtë kishin dy porta. 24 Çdo portë kishte dy kanate, dy kanate që mblidheshin dysh: dy kanate për një portë dhe dy kanate për tjetrën. 25 Mbi to, mbi portat e shenjtërores, ishin gdhendur kerubinë dhe palma, si ata që ishin gdhendur mbi mure. Mbi fasadën e atriumit, nga jashtë, kishte një strehore prej druri. 26 Kishte dritare me grilje dhe palma nga të dy anët, mbi muret anësorë të atriumit dhe mbi dhomat anësore të tempullit dhe mbi strehoret.