46
1 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Porta e oborrit të brendshëm që shikon nga lindja do të rrijë e mbyllur gjatë gjashtë ditëve të punës; por do të hapet ditën e shtunë dhe do të hapet gjithashtu ditën kur del hëna e re. 2 Princi do të hyjë nga hajati i portës nga jashtë dhe do të ndalet pranë shtalkës së portës; priftërinjtë do të ofrojnë olokaustin e tij dhe flijimet e tij të falenderimit. Ai do të adhurojë te pragu i portës pastaj do të dalë, por porta nuk do të mbyllet deri në mbrëmje. 3 Edhe populli i vendit do të adhurojë përpara Zotit te hyrja e asaj porte, në ditët e shtuna dhe kur del hëna e re. 4 Olokausti që princi do t’i ofrojë Zotit ditën e shtunë do të jetë prej gjashtë qengjash pa të meta dhe një dash pa të meta, 5 blatimi ushqimor për dashin do të jetë një efa, ndërsa blatimi ushqimor për qengjat do t’i lihet dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan. 6 Ditën e hënës së re do të ofrojë një dem të ri pa të meta, gjashtë qengja dhe një dash, që do të jenë pa të meta; 7 si blatim ushqimor do të ofrojë gjithashtu një efa për demin, një efa për dashin dhe për qengjat sa mund të disponojë, bashkë me një hin vaji për efan. 8 Princi, kur të hyjë, do të kalojë nga hajati i portës dhe do të dalë duke ndjekur po atë rrugë. 9 Por kur populli i vendit do të vijë përpara Zotit në festat solemne, ai që do të hyjë nga porta veriore për të adhuruar, do të dalë nga porta e jugut; përkundrazi ai që do të hyjë nga porta jugore do të dalë nga porta e veriut; askush nuk do të kthehet prapa nga porta prej së cilës ka hyrë, por do të dalë nga porta e kundërt. 10 Princi do të jetë atëherë në mes tyre; do të hyjë kur ata hyjnë, do të dalë kur ata dalin. 11 Në festat dhe në rastet solemne blatimi ushqimor do të jetë një efa për demin dhe një efa për dashin; për qengjat do të lihet sipas dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan. 12 Kur princi do të bëjë një ofertë vullnetare, qoftë olokaust ose flijim falenderimi, si ofertë vullnetare për Zotin, atëherë do t’i hapet porta që shikon nga lindja, dhe do të ofrojë olokaustin e tij dhe flijimin e tij të falenderimit siç bën ditën e shtunë; pastaj do të dalë dhe, sapo të dalë, porta do të mbyllet. 13 Çdo ditë do t’i ofrosh si olokaust Zotit një qengj motak, pa të meta; do ta ofrosh çdo mëngjes. 14 Çdo mëngjes do të ofrosh bashkë me të, si blatim i ushqimit, një të gjashten e një efe dhe një të tretën e një hini vaji për të lagështuar majën e miellit; është një blatim ushqimor për Zotin që duhet bërë rregullisht çdo ditë përjetë. 15 Çdo mëngjes do të ofrojnë kështu qengjin, blatimin e ushqimit dhe vajin si olokaust të përditshëm”. 16 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Në qoftë se princi i bën njërit prej bijve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, ajo do t’u përkasë bijve të tij: do të jetë zotërimi i tyre në trashëgimi. 17 Por në qoftë se ai i bën njërit prej shërbëtorëve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, kjo do t’i përkasë atij deri vitin e lirisë; pastaj do t’i kthehet princit; trashëgimia e tij do t’u përkasë vetëm bijve të tij, vetëm atyre. 18 Përveç kësaj princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke e zhveshur nga pronësitë e tij; ai do t’u sigurojë një trashëgimi bijve të tij me atë që zotëron, me qëllim që asnjeri i popullit tim të mos dëbohet nga prona e tij”. 19 Pastaj ai më çoi, nëpër hyrjen që ishte pranë portës, në dhomat e shenjta të caktuara për priftërinjtë, të cilat shikojnë nga veriu; dhe ja, në pjesën më të largët në drejtim të perëndimit kishte një vend. 20 Ai më tha: “Ky është vendi ku priftërinjtë do të pjekin mishin e flijimeve për shkeljen dhe për mëkatin dhe do të gatuajnë blatimet ushqimore, për të mos i nxjerrë në oborrin e jashtëm dhe kështu të shenjtërojnë popullin”. 21 Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe më kaloi pranë katër qosheve të oborrit; dhe ja, në çdo qoshe të oborrit kishte një oborr tjetër. 22 Në të katër qoshet e oborrit kishte disa oborre të mbyllura të gjata dyzet kubitë dhe të gjera tridhjetë. Që të katra në qoshet e tyre kishin po atë madhësi. 23 Rreth e qark tyre kishte një mur dhe poshtë murit, rreth e rrotull tij, ishin vendosur vatra për të pjekur. 24 Ai më tha: “Këto janë kuzhinat ku ata që shërbejnë në tempull do të pjekin flijimet e popullit”.