31
1 Por Jakobi dëgjoi fjalët e bijve të Labanos që thoshin: “Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë; dhe me atë që i përkiste atit tonë, ai krijoi gjithë këtë pasuri”. 2 Jakobi vuri re edhe fytyrën e Labanos; dhe ja, ndaj tij nuk ishte si më parë. 3 Pastaj Zoti i tha Jakobit: “Kthehu në vendin e etërve të tu dhe te fisi yt, dhe unë do të jem me ty”. 4 Atëherë Jakobi dërgoi e thirri Rakelën dhe Lean, që të vinin në fushat pranë kopesë së tij, 5 dhe u tha atyre: “Unë e shoh që fytyra e atit tuaj ndaj meje nuk është si më parë; por Perëndia i atit tim ka qenë me mua. 6 Dhe ju e dini se unë i kam shërbyer atit tuaj me tërë forcën time, 7 ndërsa ati juaj më ka mashtruar dhe ka ndryshuar pagesën time dhjetë herë, por Perëndia nuk e lejoi të më bëjë të keq. 8 Në qoftë se ai thoshte: “Krerët laramane do të jenë pagesa jote”, e tërë kopeja pillte qengja laramane; dhe po të thoshte: “Krerët vija-vija do të jenë pagesa jote”, tërë kopeja pillte qengja vija-vija. 9 Kështu Perëndia ia hoqi bagëtinë atit tuaj dhe ma dha mua. 10 Një herë, në kohën kur kopetë hynin në afsh, unë ngrita sytë dhe pashë në ëndërr që cjeptë që ndërzenin femrat ishin vija-vija, me pulla dhe lara-lara. 11 Dhe engjëlli i Perëndisë më tha në ëndërr: “Jakob!”. Unë iu përgjigja: “Ja ku jam!”. 12 Atëherë ai tha: “Ço tani sytë dhe shiko: tërë deshtë që ndërzejnë femrat janë vija-vija, me pulla dhe lara-lara, sepse pashë të gjitha ato që të punon Labano. 13 Unë jam Perëndia i Bethelit, ku ti ke vajosur një përmendore dhe më lidhe një kusht. Tani çohu, lëre këtë vend dhe kthehu në vendlindjen tënde””. 14 Rakela dhe Lea iu përgjigjën dhe i thanë: “Mos kemi ndoshta ne akoma pjesë dhe trashëgimi në shtëpinë e atit tonë? 15 A nuk na ke trajtuar si të huaja për arësye se na ka shitur dhe veç kësaj ka ngrënë edhe paratë tona? 16 Të gjitha pasuritë që Perëndia i hoqi atit tonë janë tonat dhe të bijve tanë; prandaj bëj të gjitha ato që Perëndia të ka thënë”. 17 Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë, 18 dhe mori me vete tërë bagëtinë e tij duke marrë me vete gjithë pasurinë që kishte vënë, bagëtinë që i përkiste dhe atë që e kishte blerë në Padam-Aram, për të vajtur tek Isaku, në vendin e Kanaanëve. 19 Ndërsa Labano kishte vajtur të qethte dhentë e tij, Rakela vodhi idhujt e të atit. 20 Dhe Jakobi u largua fshehurazi nga Labano, Arameu, pa i thënë se kishte ndërmend të ikte. 21 Kështu ai iku me gjithçka kishte; u ngrit, kaloi lumin dhe u drejtua për në malin e Galaadit. 22 Ditën e tretë i treguan Labanos se Jakobi kishte ikur. 23 Atëherë ai mori me vete vëllezërit e tij, e ndoqi shtatë ditë rrugë dhe e arriti në malin e Galaadit. 24 Por Perëndia iu shfaq në ëndërr natën Labanos, Arameut, dhe i tha: “Ruhu e mos i fol Jakobit, as për të mirë e as për të keq”. 25 Labano e arriti, pra, Jakobin. Tani Jakobi e kishte ngritur çadrën e tij në mal; dhe gjithashtu Labano dhe vëllezërit e tij kishin ngritur çadrat e tyre mbi malin e Galaadit. 26 Atëherë Labano i tha Jakobit: “Ç’bëre duke më mashtruar në këtë mënyrë dhe duke i marrë bijat e mia si robëresha lufte? 27 Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste. 28 Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mënd. 29 Tani unë kam në dorë t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: “Ruhu, mos t’i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq”. 30 Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?”. 31 Atëherë Jakobi iu përgjegj Labanos: “Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua. 32 Por kushdo qoftë ai të cilit do t’i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!”. Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela. 33 Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës. 34 Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë. 35 Dhe ajo i tha të atit: “Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave”. Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt. 36 Atëherë Jakobi u zemërua dhe u grind me Labanon; dhe Jakobi iu përgjegj dhe i tha Labanos: “Cili është faji im, cili është mëkati im, që ti të më ndjekësh me aq tërbim? 37 Ti rrëmove në tërë gjërat e mia. Çfarë gjete nga të gjitha ato që i përkasin shtëpisë sate? Vëri këtu para vëllezërve të mi dhe vëllezërve të tu dhe le të vendosin ata midis nesh të dy! 38 Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë deshtë e kopesë sate. 39 Unë nuk t’i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën. 40 Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë. 41 Kam qënë njëzet vjet në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Ti e ke ndryshuar dhjetë herë pagesën time. 42 Në qoftë se Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut, nuk do të kishte qënë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia, dhe mbrëmë dha vendimin e tij”. 43 Atëherë Labano u përgjegj dhe tha: “Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto kope janë kopetë e mia, dhe gjithçka të zë syri është imja. Por çfarë mund t’u bëj sot këtyre bijave të mia apo bijve që ato kanë lindur? 44 Prandaj eja të bëjmë një besëlidhie midis teje dhe meje, dhe që ajo shërbeftë si dëshmi midis teje dhe meje”. 45 Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si një përmendore. 46 Pastaj Jakobi u tha vëllezërve të tij: “Mblidhni gurë”. Dhe ata morën gurë dhe bënë një tog me ta, dhe hëngrën bukë pranë këtij togu. 47 Labano e quajti atë tog Jegar-Sahadutha, ndërsa Jakobi e quajti Galed. 48 Dhe Labano tha: “Sot ky tog është një dëshmi midis teje dhe meje”. Prandaj u quajt Galed, 49 edhe Mitspah, sepse Labano tha: “Zoti të mos e ndajë syrin mua dhe ty kur do të jetë e pamundur të shohim shoqi-shoqin. 50 Në rast se ti keqtrajton bijat e mia ose martohesh me gra të tjera veç bijave të mia, edhe sikur të mos ketë asnjeri me ne, kujtohu që Perëndia është dëshmitar midis meje dhe teje”. 51 Labano i tha gjithashtu Jakobit: “Ja ky tog gurësh, dhe ja përmendorja që kam ngritur midis teje dhe meje. 52 Le të jetë ky tog një dëshmi dhe le të jetë kjo përmendore një dëshmi që unë nuk do ta kapërcej këtë tog për të të bërë keq ty, dhe që ti nuk do ta kapërcesh këtë tog dhe këtë përmendore për të më bërë keq mua. 53 Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atit të tyre, u bëftë gjykatës midis nesh!”. Dhe Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij. 54 Pastaj Jakobi bëri një fli në mal dhe i ftoi vëllezërit e tij të hanin bukë. Dhe ata hëngrën bukë dhe e kaluan natën në mal. 55 Labano u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë dhe bijat e tij dhe i bekoi. Pastaj Labano u nis dhe u kthye në shtëpinë e tij.