6
1 Ejani, të kthehemi tek Zoti, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë. 2 Mbas dy ditësh do të na japë përsëri jetë, ditën e tretë do të na ringjallë dhe ne do të jetojmë në prani të tij. 3 E njohim Zotin, të përpiqemi ta njohim më mirë; ardhja e tij është e sigurt si agimi. Ai do të na vijë si shiu, si shiu i fundit dhe i parë mbi tokë. 4 “Çfarë duhet të bëj me ty, o Efraim? Çfarë duhet të bëj me ty, o Judë? Dashuria juaj është si një re e mëngjesit, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt. 5 Prandaj i kam prerë me anë të profetëve, i kam vrarë me fjalët e gojës sime dhe gjykimet e mia për ju janë si drita që lind. 6 Sepse unë dëshiroj mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet. 7 Por, si Adami, ata kanë shkelur besëlidhjen, kanë vepruar me mashtrim ndaj meje. 8 Galaadi është një qytet keqbërësish dhe i përlyer me gjak. 9 Ashtu si bandat e cubave rrinë në pritë për një njeri, kështu një turmë priftërinjsh masakron në rrugën e Sikemit, kryen gjëra të kobshme. 10 Në shtëpinë e Izraelit pashë diçka të neveritshme: atje kurvërohet Efraimi, atje ndotet Izraeli. 11 Edhe për ty, o Judë, është rezervuar një korrje, kur do ta kthej popullin tim nga robëria”.