8
Zoti më tha: “Merr një rrasë të madhe dhe shkruaj mbi të me shkronja të zakonshme: “Maher-Shalal-Hash-Baz””. Atëherë mora me vete për të dëshmuar si dëshmitarë të besuar, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut. U bashkova gjithashtu me profeteshën dhe kjo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë. Atëherë Zoti më tha: “Quaje Maher-Shalal-Hash-Baz; sepse para se fëmija të dijë të thotë: “Ati im”, o “Nëna ime”, pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarias do të çohen para mbretit të Asirisë”. Zoti më foli akoma dhe më tha: “Me qenë se ky popull ka përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël dhe kënaqet për shkak të Retsinit dhe të birit të Remaliahut, prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e Lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij; do të ngrihet mbi të gjitha kanalet e tij dhe do të vërshojë nga të gjitha brigjet e tij. Do të kalojë nëpërmes Judës, do të vërshojë dhe do të kalojë përtej deri sa të arrijë te qafa dhe krahët e tij të shpalosur do të mbulojnë tërë hapësirën e vendit tënd, o Emanuel. Bashkohuni, pra, madje me vrull, o popuj, por do të bëheni copë-copë, dëgjoni, o ju mbarë vënde të largëta. Ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë; ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë. 10 Bëni, pra, plane, por do të dalin bosh. Thoni një fjalë, por ajo nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne”. 11 Sepse kështu më ka folur Zoti me dorë të fuqishme dhe më ka lajmëruar të mos eci nëpër rrugën e këtij populli, duke thënë: 12 “Mos quani përbetim të gjitha ato që ky popull i quan përbetim, mos kini frikë nga ajo që ai druan dhe mos u trembni. 13 Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj”. 14 Ai do të jetë një shenjtërore, por edhe një gur pengese, një shkëmb pengimi për të dy shtëpitë e Izraelit, një lak dhe një kurth për banorët e Jeruzalemit. 15 Midis tyre shumë persona do të pengohen, do të bien, do të bëhen copë, do të mbeten në lak dhe do të kapen. 16 “Mbylle këtë dëshmi, vulose këtë ligj midis dishepujve të mi”. 17 Unë pres Zotin, që fsheh fytyrën e tij në shtëpinë e Jakobit, dhe kam shpresë tek ai. 18 Ja, unë dhe bijtë që Zoti më ka dhënë jemi shenja dhe një parashikues në Izrael nga ana e Zotit të ushtrive, që banon në malin Sion. 19 Në rast se ju thuhet: “Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin, përgjigjuni: “A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?”. 20 Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë. 21 Ai do të sillet nëpër vendin e tij i raskapitur dhe i uritur; dhe kur të jetë i uritur do të pezmatohet dhe do të mallkojë mbretin e tij dhe Perëndinë e tij. Do ta kthejë shikimin lart, 22 pastaj do ta kthejë drejt tokës, dhe ja fatkeqësi, errësirë, terr plot me ankth, dhe do të shtyhet në terrin më të dëndur.