56
1 Kështu thotë Zoti: “Respektoni të drejtën dhe zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi im është duke ardhur dhe drejtësia ime do të shfaqet. 2 Lum njeriu që vepron kështu dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që respekton të shtunën pa e përdhosur dhe që e përmban dorën e tij nga kryerja e çfarëdo veprimi të keq”. 3 Të mos thotë biri i të huajit që është bashkuar me Zotin: “Zoti me siguri më ka përjashtuar nga populli i tij”. Dhe të mos thotë eunuku: “Ja, unë jam një dru i thatë”. 4 Sepse kështu thotë Zoti: “Eunukët që respektojnë të shtunat e mia, që zgjedhin atë që më pëlqen mua dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime, 5 do t’u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një vend dhe një emër, që do të vlejë më tepër nga ai i bijve dhe i bijave; do t’u jap atyre një emër të përjetshëm që nuk do të fshihet kurrë. 6 Bijtë e të huajve që janë bashkuar me Zotin për t’i shërbyer, për të dashur emrin e Zotit dhe për të qenë shërbëtorë të tij, tërë ata që respektojnë të shtunën pa e përdhosur dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime, 7 do t’i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t’i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt”. 8 Zoti, Zoti, që i mbledh të shpërndarit e Izraelit, thotë: “Unë do të mbledh rreth tij edhe të tjerë, përveç atyre që kam mbledhur”. 9 O ju mbarë, kafshë të fushave, ejani për të ngrënë; ejani, ju mbarë kafshë të pyllit! 10 Rojtarët e tyre janë të verbër, janë të gjithë të paditur, janë të gjithë qen memecë, të paaftë të lehin; shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin. 11 Janë qen llupës, që nuk ngopen kurrë, janë barinj që nuk kuptojnë asgjë; ndjekin të gjithë rrugën e tyre, secili shikon interesin e vet, për llogari të vet. 12 “Ejani”, thonë, “do të marr verë dhe do të dehemi me pije dehëse; nesër do të jetë si sot, madje shumë më mirë.