22
1 Kështu thotë Zoti: “Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe aty shqipto këto fjalë, 2 duke thënë: Dëgjo fjalën e Zotit, o mbret i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyni nëpër këto porta. 3 Kështu thotë Zoti: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafajmë në këtë vend. 4 Sepse, po t’u përmbahemi tërësisht këtyre fjalëve, atëherë mbretërit e ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nëpër portat e kësaj shtëpie, të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata vetë, shërbëtorët e tyre dhe populli i tyre. 5 Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time”, thotë Zoti, “që kjo shtëpi do të shkretohet”. 6 Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: “Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë. 7 Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë kedrat e tu më të mirë dhe do t’i hedhin në zjarr. 8 Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t’i thonë njëri tjetrit: “Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?”. 9 Dhe do të përgjigjen: “Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer”. 10 Mos qani për të vdekurin, mos mbani zi për të, por qani me hidhërim të madh për atë që niset, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk e ka për të parë më vendin ku ka lindur. 11 Sepse kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josias, mbret i Judës, që mbretëron në vend të Josias atit të tij dhe që ka dalë nga ky vend: “Ai nuk do të kthehet më, 12 por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend”. 13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij, 14 dhe thotë: “Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjëra”, dhe hap në të dritare, e vesh me dru kedri dhe e lyen me të kuq. 15 “Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga kedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithshka i shkonte mbarë. 16 Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithshka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?”, thotë Zoti. 17 “Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajmë dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë”. 18 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josias, mbreti i Judës: “Nuk do të mbajnë zi për të, duke thënë: “Vaj medet, vëllai im! Vaj medet, motër!”. Nuk do të mbajnë zi për të duke thënë: “Vaj medet, zot! Vaj medet, madhëri e tij!”. 19 Do të varroset ashtu si varroset një gomar, që e heqin dhe e hedhin larg portave të Jeruzalemit. 20 Ngjitu në Liban dhe bërtit, ngrije zërin në Bashan dhe bërtit nga Abarimi, sepse të gjithë dashnorët e tu janë shkatërruar. 21 Të fola në kohën e begatisë sate, por ti më the: “Nuk do të dëgjoj”. Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim. 22 Tërë barinjtë e tu do të gllabërohen nga era dhe dashnorët e tu do të shkojnë në robëri; atëherë do të jesh e turpëruar dhe e shushatur për gjithë ligësinë tënde. 23 Ti që banon në Liban, që ke ngritur folenë në mes kedrave, sa do të rënkosh kur do të të zënë dhembjet, dhembjet si ato të gruas që është gati të pjellë! 24 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj”, thotë Zoti, “edhe sikur Konjahu, biri i Jehojakimit, mbret i Judës, të ishte një unazë vulosjeje në dorën time të djathtë, unë do të të shkulja që andej. 25 Unë do të të jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën tënde, në dorë të atyre prej të cilëve ke frikë, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të Kaldeasve. 26 Do të të hedh ty dhe nënën tënde që të ka lindur në një vend të huaj, ku nuk keni lindur dhe aty do të vdisni. 27 Por në vendin ku dëshirojnë fort të kthehen, nuk do të kthehen. 28 A është vallë ky njeri, Konjahu, një poç pa vlerë, i thyer, ose një send që nuk prodhon asnjë kënaqësi? Pse, pra, janë përzënë ai dhe pasardhësit e tij dhe janë hedhur në një vend që ata nuk e njohin? 29 O vend, o vend, o vend, dëgjo fjalën e Zotit! 30 Kështu thotë Zoti: “Regjistrojeni këtë njeri si pa fëmijë, një njeri që nuk do të begatohet në ditët e tij, sepse asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të ketë mbarësi, duke arritur të ulet mbi fronin e Davidit dhe të mbretërojë akoma në Judë””.