46
1 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër kombeve. 2 Kundër Egjiptit: përsa i përket ushtrisë së Faraonit Neko, mbretit të Egjiptit, që ishte pranë lumit Eufrat në Karkemish dhe që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e mundi vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës. 3 “Përgatitni mburojën e vogël dhe të madhe dhe afrojuni betejës. 4 Shaloni kuajt dhe ju kalorës, u hipni atyre; paraqituni me përkrenare, i shndritni shtizat tuaja, vishni parzmoret! 5 Çfarë po shoh? Ata e kanë humbur dhe po kthehen prapa; burrat e tyre trima janë mundur dhe ikin me nxitim pa kthyer as kokën prapa; rreth e qark sundon tmerri”, thotë Zoti. 6 “Mos lejo që i shpejti të ikë dhe që trimi të shpëtojë. Në veri, pranë lumit Eufrat, ata po lëkunden dhe po rrëzohen. 7 Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit fryhen si ato të lumenjve? 8 Éshtë Egjipti që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit po fryhen si ato të lumenjve. Ai thotë: “Do të dal, do të mbuloj tokën dhe do të shkatërroj qytetin dhe banorët e tij”. 9 Ngarkohuni, o kuaj, dhe përparoni me rrëmbim, o qerre, le të dalin përpara burrat trima, ata të Etiopisë dhe të Putit që mbajnë mburojën dhe ata të Ludit që përdorin dhe shtrijnë harkun. 10 Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive, është ditë hakmarrjeje, për t’u hakmarrë me armiqtë e tij. Shpata do të shfarosë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zoti, Zoti i ushtrive, bën një flijim në vendin e veriut, pranë lumit Eufrat. 11 Ngjitu në Galaad dhe merr ca balsam, o e virgjër, o bijë e Egjiptit. Më kot ti përdor barëra të shumta, nuk ka shërim për ty. 12 Kombet kanë marrë vesh poshtërsinë tënde dhe britma jote e dhembjes ka mbushur dheun, sepse trimi është penguar me një trim dhe që të dy kanë rënë bashkë”. 13 Fjala që Zoti i drejtoi profetit Jeremia për ardhjen e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur vendin e Egjiptit. 14 Shpalleni në Egjipt, bëjeni të ditur në Migdol, bëjeni të ditur në Nof dhe në Tahpanhes. Thoni: “Çohu dhe përgatitu, sepse shpata përpin çdo gjë që të rrethon”. 15 Pse burrat e tu trima janë rrëzuar? Nuk mund të rezistojnë sepse Zoti i rrëzon. 16 Ai bën që të lëkunden shumë prej tyre, bien njëri mbi tjetrin dhe thonë: “Ja, të kthehemi te populli ynë dhe në vendlindje, larg shpatës vrastare”. 17 Atje ata bërtasin: “Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk është veçse një zhurmë e madhe, që ka lënë të kalojë koha e caktuar”. 18 “Siç është e vërtetë që unë rroj”, thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive, “ai do të vijë si Tabori midis maleve, si Karmeli pranë detit. 19 Përgatit gjërat e nevojshme për robërinë, o bijë që banon në Egjipt, sepse Nofi do të bëhet një shkretëtirë dhe do të digjet, nuk do të banojë më askush në të. 20 Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur, por i vjen shkatërrimi, i vjen nga veriu. 21 Edhe mercenarët e tij që janë në mes të tij janë si viça për majmëri; edhe ata e kanë kthyer kurrizin, ikin bashkë, nuk rezistojnë, sepse ka zbritur mbi ta dita e fatkeqësisë së tyre, koha e ndëshkimit të tyre. 22 Zëri i tij lëviz si një gjarpër, sepse ata përparojnë me një ushtri dhe dalin kundër saj me sëpata si shumë druvarë. 23 Ata do të rrëzojnë pyllin e saj”, thotë Zoti, “megjithëse është i padepërtueshëm, sepse janë më të shumtë se karkalecat, nuk numërohen dot. 24 Bija e Egjiptit do të mbulohet me turp, do të jepet në dorë të popullit të veriut”. 25 Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, thotë: “Ja, unë do të dënoj Amonin e Nosë, Faraonin dhe Egjiptin, perënditë e tij dhe mbretërit e tij, Faraonin dhe ata që kanë besim tek ai; 26 do t’i jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të shërbëtorëve të tij; por mbas kësaj do të banohet si në të kaluarën”, thotë Zoti. 27 “Por ti mos u tremb, o shërbëtori im Jakob, mos u trondit, o Izrael, sepse ja, unë do të të shpëtoj ty prej së largu dhe pasardhësit e tu nga toka e robërisë se tyre. Jakobi do të kthehet, nuk do t’i bien në qafë më dhe do të jetë i qetë dhe askush nuk do ta trembë më. 28 Mos u tremb, o Jakob, shërbëtori im”, thotë Zoti, “sepse unë jam me ty, do të asgjësoj tërë kombet midis të cilëve të kam shpërndarë, por nuk do të të zhduk ty; do të të ndëshkoj me një masë të drejtë dhe nuk do të të lë fare pa dënuar”.