15
Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha: “Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore? Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë? Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë. Sepse prapësia jote t’i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve. Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje. A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave? A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë? Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne? 10 Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt. 11 Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty? 12 Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë, 13 duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?”. 14 “Ç’është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë? 15 Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij; 16 aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë! 17 Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë, 18 atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre, 19 të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre. 20 I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara. 21 Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi. 22 Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret. 23 Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij. 24 Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë, 25 sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin, 26 duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza. 27 Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt; 28 ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash. 29 Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë. 30 Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij. 31 Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij. 32 Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më. 33 Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja. 34 Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar. 35 Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.