21
Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: “Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni. Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua. A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet? Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë. Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet. Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre? Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre. Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta. 10 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar. 11 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle. 12 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit. 13 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol. 14 Megjithatë i thonin Perëndisë: “Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua. 15 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t’i shërbejmë? Ç’përfitojmë veç kësaj kur e lusim?”. 16 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje. 17 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij? 18 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia? 19 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë. 20 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit! 21 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur? 22 A mundet ndokush t’i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart? 23 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt; 24 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët. 25 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën. 26 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë. 27 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje. 28 Në fakt ju thoni: “Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?”. 29 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre? 30 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit. 31 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë? 32 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij. 33 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para. 34 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?”.