37
Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj. Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj! Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës. Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij. Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t’i kuptojmë. I thotë në fakt borës: “Bjerë mbi tokë”, ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta. Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij. Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre. Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut. 10 Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet. 11 I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota. 12 Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar. 13 I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi. 14 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë! 15 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij? 16 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha? 17 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut? 18 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë? 19 Na mëso se çfarë duhet t’i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën. 20 A mund t’i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri. 21 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re. 22 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme. 23 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri. 24 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur”.