85
O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.
Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)
Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë.
Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh.
A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?
A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?
Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd.
Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.
Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.
10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.
11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.
12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.
13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.