122
U gëzova kur më thanë: “Shkojmë në shtëpinë e Zotit”.
Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: “Paqja qoftë te ti”.
Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.