2
1 Unë jam trëndafili i Sharonit, zambaku i luginave. 2 Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave. 3 Si një mollë midis pemëve të pyllit kështu është i dashuri im midis të rinjve. Kam dëshëruar shumë të rri në hijen e tij dhe aty jam ulur, fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time. 4 Më çoi në shtëpinë e banketit dhe flamuri i tij mbi mua është dashuria. 5 Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria. 6 Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon. 7 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t’i pëlqejë 8 Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat. 9 I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre. 10 I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: “Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja! 11 Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku. 12 Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës. 13 Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja. 14 O pëllumbesha ime, që rri në të çarat e shkëmbinjve, në strukat e rrëmoreve, ma trego fytyrën tënde, më bëj ta dëgjoj zërin tënd, sepse zëri yt është i këndshëm dhe fytyra jote është e hijshme”. 15 I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona janë në lulëzim. 16 I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve. 17 Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.