11
1 Pastaj Amoniti Nahash shkoi të ngrejë kampin kundër Jabeshit të Galaadit. Atëherë tërë ata të Jabeshit i thanë Nahashit: “Lidh aleancë me ne dhe ne do të të shërbejmë”. 2 Amoniti Nahash iu përgjegj kështu: “Unë do të bëj aleancë me ju me këtë kusht: t’ju nxjerr syrin e djathtë të gjithëve për të poshtëruar tërë Izraelin. 3 Pleqtë e Jabeshit i thanë: “Na jep shtatë ditë kohë që të dërgojmë lajmëtarë në tërë territorin e Izraelit; dhe në qoftë se nuk vjen asnjeri për të na shpëtuar, do të dorëzohemi në duart e tua”. 4 Kështu lajmëtarët arritën në Gibeah të Saulit dhe i njoftuan këto fjalë para popullit; atëherë tërë populli ngriti zërin dhe qau. 5 Ndërkaq Sauli po kthehej nga fshati pas qeve të tij. Dhe Sauli tha: “Çfarë ka populli që qan?”. I njoftoi atëherë fjalët e njerëzve të Jabeshit. 6 Me të dëgjuar këto fjalë, Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe. 7 Ai mori një pendë qesh, i preu qetë copë-copë dhe i dërgoi në të gjithë territorin e Izraelit me anë të lajmëtarëve, duke thënë: “Kështu do të trajtohen qetë, e atij që nuk do të ndjekë Saulin dhe Samuelin”. Tmerri i Zotit zuri popullin dhe ai u ngrit si një njeri i vetëm. 8 Sauli i kaloi në revistë në Bezek, dhe ishin treqind mijë bij të Izraelit dhe tridhjetë mijë burra të Judës. 9 Pastaj u thanë lajmëtarëve që kishin ardhur: “Kështu do t’u thoni njerëzve të Jabeshit nga Galaadi: “Nesër, kur dielli të fillojë të ngrohë, do të çliroheni””. Lajmëtarët shkuan t’ua njoftojnë këtë njerëzve të Jabeshit, të cilët u gëzuan. 10 Atëherë njerëzit e Jabeshit u thanë Amonitëve: “Nesër do të vimë tek ju dhe do të bëni ç’të doni me ne”. 11 Të nesërmen, Sauli e ndau popullin në tre grupe, të cilët hynë në mes të kampit armik para mëngjesit dhe i grinë Amonitët deri në zheg të ditës. Ata që shpëtuan u shpërndanë dhe nuk mbetën as dy veta bashkë. 12 Populli i tha atëherë Samuelit: “Kush ka thënë: “A duhet të mbretërojë Sauli mbi ne?”. Na i jepni këta njerëz dhe ne do t’i vrasim”. 13 Por Sauli u përgjegj: “Asnjeri nuk do të vritet në këtë ditë, sepse sot Zoti ka realizuar një çlirim të madh në Izrael”. 14 Pastaj Samueli i tha popullit: “Ejani, shkojmë në Gilgal dhe aty ta përtërijmë mbretërinë”. 15 Kështu tërë populli shkoi në Gilgal dhe aty përpara Zotit në Gilgal e caktuan Saulin mbret. Aty përpara Zotit ofruan flijime falenderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.