14
Pastaj Abijahun pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. Në kohën e tij vendi qe i qetë dhjetë vjet. Asa bëri atë që ishtë e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij. Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët. Përveç kësaj urdhëroi Judën të kërkojë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, dhe të zbatojë në praktikë ligjin dhe urdhërimet. Hoqi gjithashtu nga të gjitha qytetet e Judës vendet e larta dhe idhujt; dhe me të mbretëria njohu një periudhë qetësie. Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë, sepse vendi ishte i qetë. Në ato vite nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Zoti i kishte dhënë qetësi. Ai u thoshte atyre të Judës: “Le t’i ndërtojmë këto qytete dhe t’i rrethojmë me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi është akoma në dispozicionin tonë, sepse kemi kërkuar Zotin, Perëndinë tonë; ne e kemi kërkuar dhe ai na ka dhënë paqe rreth e qark”. Kështu ata iu vunë ndërtimit dhe u begatuan. Asa kishte një ushtri prej treqindmijë njerëzish nga Juda që mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tetëdhjetë mijë nga Beniamini që mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; tërë këta ishin burra të fortë dhe trima. Kundër tyre doli Zerahu, Etiopasi, me një ushtri prej një milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri në Mareshah. 10 Asa doli atëherë kundër tij dhe u vendosën në rend beteje në luginën e Tsefathahut pranë Mareshahut. 11 Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: “O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!”. 12 Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas dhe përpara Judës, dhe Etiopasit ua mbathën këmbëve. 13 Atëherë Asa dhe njerëzit që ishin me të i ndoqën deri në Gherar. Prandaj Etiopasit u mundën, prej tyre nuk mbeti asnjë i gjallë, sepse ata u shkatërruan përpara Zotit dhe ushtrisë së tij. Dhe ata morën një plaçkë shumë të madhe. 14 Pastaj sulmuan tërë qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte zënë, dhe ata plaçkitën tërë qytetet në të cilat kishte plaçkë të madhe. 15 Sulmuan gjithashtu vathët e bagëtive dhe morën me vete një numër të madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen në Jeruzalem.