9
Pastaj Perëndia bekoi Noeun dhe bijtë e tij dhe u tha atyre: “Qofshi frytdhënës, shumëzoheni dhe mbusheni tokën. Dhe frika dhe tmerri juaj do të ushtrohet mbi të gjitha kafshët e tokës, mbi të gjithë zogjtë e qiellit, mbi gjithçka që lëviz mbi tokë, si edhe mbi të gjithë peshqit e detit. Ata janë lënë në pushtetin tuaj. Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra; ju jap edhe barin e gjelbër; por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij. Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t’i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut. Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij. Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumohuni në të”. Pastaj Perëndia u foli Noeut dhe bijve të tij që ishin bashkë me të, duke thënë: “Sa për mua, unë caktoj besëlidhjen time me ju dhe me brezin që vjen pas jush, 10 dhe me gjithë gjallesat që janë me ju: zogj, bagëti dhe tërë kafshët e tokës që janë me ju, duke filluar nga tërë ata që kanë dalë nga arka dhe deri te tërë kafshët e tokës. 11 Unë e caktoj besëlidhjen time me ju: asnjë lloj mishi nuk do të shfaroset më nga ujërat e përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën”. 12 Pastaj Perëndia tha: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë përfundoj midis meje dhe jush, me të gjitha qeniet e gjalla që janë me ju, me të gjithë brezat e ardhshëm. 13 Unë e vendos ylberin tim në një re, dhe do të shërbejë si shenjë për besëlidhjen e përfunduar midis meje dhe tokës. 14 Dhe kur të sjell re mbi tokën, do të ndodhë që harku të shfaqet në retë; 15 dhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time midis meje dhe jush si dhe me çdo gjallesë të çfarëdo lloji mishi, dhe ujërat nuk do të shndërrohen më në një përmbytje për të shkatërruar çfarëdo lloj mishi. 16 Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme midis Perëndisë dhe çdo gjallese të çfarëdo mishi që ndodhet mbi tokë”. 17 Dhe Perëndia i tha Noeut: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë kam caktuar midis meje dhe çfarëdo mishi që është mbi tokë”. 18 Dhe bijtë e Noeut që dolën nga arka qenë Semi, Kami dhe Jafeti; Kami është babai i Kanaanit. 19 Këta janë tre bijtë e Noeut, dhe ata populluan tërë tokën. 20 Më vonë Noeu, që ishte bujk, filloi të mbjellë një vresht; 21 dhe piu verë e u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij. 22 Dhe Kami, i ati i Kanaanit, pa babanë e tij lakuriq dhe vajti t’ua thotë vëllezërve të tij që ndodheshin jashtë. 23 Por Semi dhe Jafeti muarrën një mantel, e hodhën mbi shpatullat e tyre dhe, duke ecur së prapthi, mbuluan lakuriqësinë e babait të tyre; dhe, me qënë se fytyrat e tyre ishin kthyer nga ana tjetër, ata nuk e panë lakuriqësinë e babait të tyre. 24 Kur Noeu u zgjua nga dehja e tij, mësoi atë që i kishte bërë i biri më i vogël, dhe tha: 25 “I mallkuar qoftë Kanaani! Ai qoftë shërbyesi i shërbëtorëve të vëllezërve të tij!”. 26 Pastaj tha: “I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit, dhe Kanaani të jetë shërbëtori i tij. 27 Perëndia ta rritë Jafetin dhe ky të banojë në çadrat e Semit; Kanaani qoftë shërbyesi i tij!”. 28 Mbas përmbytjes, Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet. 29 Kështu Noeu jetoi gjithsejt nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq.