13
Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të. Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar. Nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait, në vendin e altarit që kishte ndërtuar në krye, dhe aty Abrami i bëri thirrje emrit të Zotit. Edhe Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra. Dhe vendi nuk ishte në gjendje t’i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë. Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend Kananejtë dhe Perezejtë. Dhe kështu Abrami i tha Lotit: “Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas”. 10 Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit. 11 Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’izhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri. 12 Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë. 13 Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit. 14 Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: “Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. 15 Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë. 16 Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu. 17 Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty”. 18 Atëherë Abrami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit.