3
1 Këto janë kombet që Zoti la me qëllim që me anë të tyre të vinte në provë Izraelin, domethënë tërë ata që nuk kishin njohur luftërat e Kanaanit: 2 (kjo kishte si qëllim të vetëm t’ua bënte të njohur dhe t’u mësonte bijve të Izraelit luftën, të paktën atyre që nuk e kishin njohur më parë) 3 pesë princat e Filistejve, tërë Kananejtë, Sidonitët dhe Hivejtë që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit. 4 Këto kombe u lanë për të vënë në provë Izraelin, për të parë në se ata do t’u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut. 5 Kështu bijtë e Izraelit banuan në mes të Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve; 6 u martuan me bijat e tyre dhe u dhanë bijat e veta për gra bijve të tyre, dhe u shërbyen perëndive të tyre. 7 Kështu bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe i shërbyen Baalit dhe Asherothit. 8 Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë. 9 Pastaj bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha një çlirimtar, Othnielin, birin e Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit; dhe ky i çliroi. 10 Fryma e Zotit ishte mbi të, dhe ai ishte gjyqtar i Izraelit; doli për të luftuar dhe Zoti i dha në dorë Kushan-Rishathaimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe dora e tij qe e fuqishme kundër Kushan-Rishathaimit. 11 Vendi pati paqe për dyzet vjet me radhë; pastaj Othnieli, bir i Kenazit, vdiq. 12 Por bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit. 13 Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave. 14 Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. 15 Por bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, Beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit. 16 Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, të gjatë një kubitë; e ngjeshi në brez poshtë veshjes, në krahun e djathtë. 17 Pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit, që ishte një njeri shumë i trashë. 18 Kur mbaroi paraqitja e haraçit, ai ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin. 19 Por ai vetë, nga vendi i idhujve pranë Gilgalit, u kthye prapa dhe tha: “O mbret, kam diçka që dua të të them fshehurazi”. Mbreti i tha: “Heshtni!”. Dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. 20 Atëherë Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: “Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit”. Kështu mbreti u ngrit nga froni i tij; 21 atëherë Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark. 22 Edhe doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës sepse ai nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit; dhe zorrët e tij dolën jashtë. 23 Pastaj Ehudi dolli në portik, dhe mbylli me çelës dyert e sallës së sipërme. 24 Kur doli; erdhën shërbëtorët për të parë, dhe ja, dyert e sallës së sipërme ishin mbyllur me çelës; kështu ata thanë: “Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët”. 25 Dhe pritën aq sa e ndjenë veten të shushatur; por duke qenë se nuk po hapeshin portat e sallës, ata muarrën çelsin dhe hapën; dhe ja, zotëria e tyre rrinte shtrirë në tokë: ai kishte vdekur. 26 Ndërsa ata ngurronin, Ehudi pati kohë të ikte, kaloi matanë vendit të idhujve dhe shpëtoi duke arritur në Seirah. 27 Me të arritur, i ra borisë në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit zbritën bashkë me të nga krahina malore, dhe ai u vu në krye të tyre. 28 Dhe u tha atyre: “Ejani pas meje, sepse Zoti ju ka dhënë në dorë Moabitët, armiqtë tuaj”. Ata zbritën pas tij, zunë vatë e Jordanit që çojnë në Moab, dhe nuk lanë të kalojë asnjeri. 29 Në atë kohë mundën rreth dhjetë mijë Moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një. 30 Kështu atë ditë Moabi u poshtërua nga dora e Izraelit, dhe vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë. 31 Mbas Ehudit, erdhi Shamgari, bir i Anathit. Ai mundi gjashtëqind Filistej me një hosten qesh; edhe ai çliroi Izraelin.