12
1 Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish. 2 Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të. 3 Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji. 4 Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha: 5 “Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?”. 6 Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda. 7 Jezusi, pra, tha: “Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. 8 Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë”. 9 Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish. 10 Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin, 11 sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin. 12 Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, 13 mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!”. 14 Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar: 15 “Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!”. 16 Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të. 17 Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të. 18 Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë. 19 Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij”. 20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë. 21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: “Zot, duam të shohim Jezusin”. 22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. 23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet, 24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! 25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. 26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. 27 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. 28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi nga qielli: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!”. 29 Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: “Një engjëll i ka folur!”. 30 Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: “Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju. 31 Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote! 32 Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë”. 33 Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç’lloj vdekje duhet të vdiste. 34 Turma iu përgjigj: “Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?”. 35 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon”. 36 “Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës”. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre. 37 Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të, 38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?”. 39 Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha: 40 “Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj”. 41 Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të. 42 Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, 43 sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë. 44 Pastaj Jezusi thirri dhe tha: “Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar. 45 Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar. 46 Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë. 47 Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën. 48 Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit. 49 Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç’duhet të them e të shpall. 50 Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m’i ka thënë Ati”.