3
1 Mbi shtratin tim gjatë natës kërkova atë që dashuron zemra ime, e kërkova, por nuk e gjeta. 2 Tani do të ngrihem dhe do të shkoj rrotull nëpër qytet, nëpër rrugët dhe nëpër sheshet do të kërkoj atë që do zemra ime. E kërkova, por nuk e gjeta. 3 Rojet që sillen nëpër qytet më takuan. I pyeta ata: “A e patë atë që do zemra ime?”. 4 Sapo i kalova, gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis deri sa ta çoj në shtëpinë e nënes sime dhe në dhomën e asaj që më ka ngjizur. 5 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t’i pëlqejë. 6 Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve? 7 Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit. 8 Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës. 9 Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani. 10 I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit. 11 Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.