Zanafilla. 5. Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë. Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan. Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth. Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija. Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq. Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi. Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq. Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani. Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq. Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli. Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq. Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi. Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq. Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku. Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë. Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq. Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu. Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete. Metuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe i lindi Lameku. Mbas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindën bij e bija. Kështu Metuselahu jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet; pastaj ai vdiq. Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindi një bir; dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: “Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar”. Pasi solli në këtë botë Noeun, Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe i lindën bij e bija të tjerë. Kështu Lameku jetoi gjithsej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet, pastaj ai vdiq. Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti.