Jobi. 19. Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: “Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja? U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni. Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua. Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim, mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij. Ja, unë bërtas: “Dhunë!”, por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka! Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time. Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën. Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time. Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij. Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime. Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua. Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar. Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj. Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t’i lutem me gojën time. Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim. Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje. Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje. Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve. Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur. Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim? Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër; sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb! Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra. Në rast se thoni: “Pse e persekutojmë?”; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë, ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim”.