Jobi. 30. “Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t’i vija midis qenve të kopesë sime. Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar. Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë, duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre. Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës. Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve; ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat; njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre. Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre. Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë. Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje. Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë. Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon. Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi. Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re. Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar. Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim. Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim. Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri, Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar. Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate. Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi. E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët. me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë. A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin? Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira. Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh. Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë. Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin. Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia. Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues.