Jobi. 34. Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha: “Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin! Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet. Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë. Sepse Jobi ka thënë: “Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time. A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat”. Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin, që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij? Sepse ka thënë: “Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia”. Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit! Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij. Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë. Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën? Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij, çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur. Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them. A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin? Ai që i thotë një mbreti: “Je për t’u përbuzur” dhe princave: “Jeni të këqij”. Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij. Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu. Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij. Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij. Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij. Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre. Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen; i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve, sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij, deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve. Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm, për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe? Dikush mund t’i thotë Perëndisë: “Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen; tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më”? A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di. Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë: “Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri”. Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij, sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë”.