Psalmet. 33. Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë. Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela. Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni. Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi. Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit. Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij. Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare. Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës. Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq. Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve. Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez. Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij. Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve. Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës. Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre. Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe. Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku. Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie. Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë. Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë. Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.