Psalmet. 74. O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate? Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar. Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore. Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj. Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli. Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij. I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë. Kanë thënë në zemër të tyre: “T’i shkatërrojmë të gjithë”; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend. Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur. Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë? Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji. Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë. Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat. Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës. Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm. Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin. Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin. Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd. Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu. Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune. Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd. Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën. Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.