Psalmet. 83. O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi! Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën. Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron. Ata thonë: “Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më”. Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje. Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët, Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros; dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela) Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit, të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën. Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna, sepse ata thanë: “Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë”. O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës. Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet, kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd. Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot. U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin; dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.