Psalmet. 136. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë. Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë; Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.