Psalmet. 147. Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh. Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit. Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre. Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre. I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij. Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij. Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë, që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet. Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin. Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij. Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion. Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje. Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë. Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun. Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi. Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij? Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin. Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij. Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.