Fjalët e urta. 22. Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari. I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti. Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen. Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta. Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre. Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket. I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit. Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet. Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit. Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë. Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin. Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit. Përtaci thotë: “Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës”. Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të. Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj. Ai që shtyp të varfërin për t’u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet. Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime. sepse për ty do të jetë e këndshme t’i ruash në intimitetin tënd dhe t’i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua. Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty. A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë, në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t’u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë? Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta, sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t’u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur. Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak, që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd. Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve. Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes? Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu. A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.